Vinales jep lajmin e keq për tifozët e tij
V

Vinales jep lajmin e keq për tifozët e tij

Piloti i ekipit Tech3, Maverick Vinales, nuk do të marrë pjesë në Çmimin e Madh të Francës, pasi ende nuk është rikuperuar plotësisht nga operacioni në klavikulë që bëri në fund të marsit.

Vinales e pësoi dëmtimin gjatë garës në Sachsenring vitin e kaluar, dhe megjithëse u rikthye përkohësisht në pistë, pasojat e vazhdueshme e detyruan të mungojë në 10 gara gjatë këtij dhe sezonit të kaluar.

Spanjolli u tërhoq nga gara në Austin me rekomandimin e mjekëve dhe u kthye në Evropë, ku gjatë operacionit iu hoq një vidë që i shkaktonte dhimbje. Edhe pse synonte rikthimin në Le Mans, kontrollet mjekësore treguan se ai ende nuk është gati.

“Kam punuar fort që nga operacioni për t’u rikuperuar plotësisht dhe Le Mans ishte objektivi im. Por më është thënë se nuk jam ende mjaftueshëm i fortë për t’u rikthyer. Jam i zhgënjyer, por prioritet mbetet rikuperimi i plotë”, u shpreh Viñales.

Ekipi Tech3 nuk kishte zëvendësim në Herez, pasi test-piloti Pol Espargaró ishte i dëmtuar në dorë. Për garën në Le Mans, zgjedhja ka rënë mbi Jonas Folger, pilot zhvillimi i KTM, i cili rikthehet në MotoGP pas katër vitesh.

Folger ka pasur më parë 19 gara në klasën kryesore me Tech3, ndërsa rezultati i tij më i mirë mbetet vendi në podium në Sachsenring në vitin 2017.

“Para së gjithash i uroj Maverick një rikuperim të shpejtë. Jam shumë i emocionuar që rikthehem te Tech3, një ekip që e njoh mirë. Le Mans do të jetë sfidë e madhe pas kaq shumë kohësh larg, por mezi pres të rikthehem”, tha Folger.

Garat në Le Mans zhvillohen nga e premtja deri të dielën.

TË FUNDIT