Pilotët që e ngrenë këmbën nga gazi në kualifikime, shpesh parakalime artificiale dhe një superioritet i Mercedes që e kthen Formula 1 më shumë se një dekadë prapa në aspektin e hierarkisë. Kjo Formula 1 e re tërheq spektatorë, por gjithashtu ndez diskutime për risitë që kanë hyrë në fuqi këtë vit.
Një gjë është e sigurt. F1 e sotme i pëlqen Mercedes, i cili ka fituar dy garat e zhvilluara deri më tani. Drejtori i Mercedes, Toto Wolff, tha: “Mendoj se vetë produkti është i mirë. Kemi parë disa paraqitje të mira edhe te makinat në mesin e renditjes dhe ky është një aspekt pozitiv”.
“Nga perspektiva e një piloti, kur bëhet fjalë për një xhiro kualifikuese me gaz të plotë, situata është e ndryshme. Është e qartë se heqja e këmbës nga gazi ka një kosto në kualifikime. Kualifikimet me shpejtësi të plotë do të ishin të mira. Por kur shikon tifozët dhe entuziazmin e tyre mendoj se shumicës dërrmuese të njerëzve u pëlqen kjo F1”, tha Wolff.
“Mund të vlerësojmë se si ta përmirësojmë, por të gjithë treguesit dhe të dhënat thonë se njerëzve u pëlqen. Ne të gjithë ishim pjesë e një epoke të Formula 1 ku parakalimet nuk ekzistonin. Ndonjëherë jemi shumë nostalgjikë për kohët e mira të vjetra“, shtoi më tej shefi i Mercedes.

Wolff iu përgjigj gjithashtu Max Verstappen, që beson se F1 e re është kundër ADN-së së tyre: “Max është vërtet në një situatë makthi. Nëse shikoni videon nga makina e tij ajo është thjesht e tmerrshme për t’u drejtuar. Por kjo nuk është e vërtetë për shumë ekipe të tjera”.
“Jam i sigurt se është e vështirë për një pilot agresiv si ai ta menaxhojë dhe ta përvetësojë, por është më shumë një problem specifik i makinës, i cili në një farë mënyre e amplifikon vetë problemin. Nëse ai do të ulej në divan, edhe Max do të thoshte: ‘Kjo ishte një garë interesante“, tha
Wolff.



