Toto Wolff po menaxhon me kujdes rivalitetin mes dy pilotëve të Mercedesit, Kimi Antonelli dhe George Russell, duke mos dashur të përsëritet situata e vitit 2016 mes Hamilton dhe Rosberg.
Pas duelit të fortë në Kanada, Wolff pranoi se skuadra rrezikoi një “dopjo KO” nga lufta mes pilotëve. “Ishte një betejë e bukur, por në disa momente ata shkuan shumë në limit dhe mund të përfundonin jashtë gare të dy”, deklaroi ai.
Shefi i Mercedes theksoi se pilotët do të jenë të lirë të garojnë, por mbi gjithçka duhet të ruhet respekti dhe qartësia brenda ekipit. Sipas tij, në gara të caktuara rivaliteti mund të duhet të kontrollohet për të shmangur probleme për skuadrën.
Wolff komentoi edhe fatin e keq të Russell në Kanada, ku britaniku u detyrua të tërhiqej për shkak të një problemi elektrik. “Ka qenë i pafat, por sezoni është i gjatë dhe ai është mjaftueshëm i fortë për të reaguar”, përfundoi austriaku.



